Një e kaluar e dhunshme nuk duhet domosdoshmërisht të prodhojë vetëm një version të imponuar të realitetit. Përkundrazi, ajo mund të mësohet përmes dëshmive të ndryshme të vendosura krah për krah, në mënyrë që të rinjtë të mësojnë të mendojnë në mënyrë kritike dhe jo të trashëgojnë përfundimet e të tjerëve — ky ishte përfundimi kryesor i konferencës ndërkombëtare JHP 2.0 të mbajtur në Athinë.
Konferenca „Dhuna në histori: përvojat, kujtimet dhe përfaqësimet në Evropën Juglindore“ u mbajt nga 24 deri më 26 shtator 2026 në Universitetin Panteion në Athinë. Ajo mblodhi së bashku historianë, mësimdhënës dhe studiues nga 13 vende të Evropës Juglindore, të cilëve iu bashkuan kolegë nga Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Kanadaja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Spanja, për të shqyrtuar një çështje që qëndron në zemër të historisë së rajonit: se si shoqëritë hulumtojnë, kujtojnë dhe mësojnë për dhunën – luftën, përndjekjen dhe heshtjet që shpesh i pasojnë ato – pa lejuar që kjo dhunë të ngurtësohet në propagandë, mohim apo pakënaqësi të trashëguar të brezave të rinj.
Duke hapur konferencën, drejtoresha e projektit Joint History Project (JHP), Zvezdana Kovaç (Zvezdana Kovač), kujtoi se për gati tre dekada ky projekt ka bërë bashkë historianë nga mbarë rajoni me synimin për të parë një të kaluar të përbashkët dhe shpesh të dhimbshme nga këndvështrime të shumëfishta njëkohësisht. Kryetari i Bordit të JHP-së dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, u ndal te mobilizimi qytetar në Shqipëri, duke treguar se si pakënaqësia publike u shndërrua në një lëvizje më të gjerë pro-demokracisë të udhëhequr nga „fëmijët e tranzicionit“, dhe hoqi paralele të qarta midis angazhimit qytetar në Shqipëri dhe Serbi. Rektorja e Universitetit Panteion dhe kryetarja e Komitetit Akademik të JHP-së, Christina Koulouri, vuri në dukje sfidat e reja që progresi i shpejtë teknologjik sjell për arsimin dhe shoqërinë në tërësi. Ambasadori gjerman Andreas Kindl theksoi rolin e pazëvendësueshëm të nismave të tilla si JHP në forcimin e paqes rajonale dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, ndërsa Regine Schubert, drejtoreshë e zyrës së Fondacionit Friedrich Ebert (FES) në Athinë, theksoi se mësimet e historisë ofrojnë udhëzime të vlefshme për vendimmarrësit e sotëm.
Gjatë dy ditëve në vijim, gjashtë panele tematike e bartën pyetjen qendrore të konferencës në gjashtë hapësira të ndryshme të së kaluarës.
Paneli i parë „Mësimdhënia e historisë dhe dhuna I“ trajtoi çështjen se çfarë ndodh në të vërtetë kur një e kaluar e dhunshme hyn në klasë. Mesazhi i panelit ishte i qartë: mësimdhënia rreth traumës duhet të ndërtojë të kuptuarit kritik dhe jo të normalizojë dhunën — dhe në shoqëritë e ndara, të rinjtë shpesh e përvetësojnë të kaluarën përmes miteve familjare dhe traditës së komunitetit shumë kohë përpara se ta takojnë atë si fakt historik, gjë që e bën rolin e klasës në ofrimin e këtyre fakteve, me kujdes dhe ndershmëri, edhe më urgjent.
Paneli i dytë „Mësimdhënia e historisë dhe dhuna II“ vazhdoi ta hulumtojë këtë çështje nga një kënd tjetër. Mesazhi i këtij paneli ishte se librat me ilustrime (stripet) dhe romanet grafike të bazuara në burime parësore mund t’i afrojnë temat e vështira te të rinjtë më mirë sesa çdo faqe e një teksti shkollor, dhe se një vetëdije e sinqertë për përkatësinë e dyfishtë – për të qëndruarit historikisht në më shumë se një komunitet apo narrativë njëkohësisht – është pikërisht ajo që hap hapësirë për një multiperspektivë të vërtetë në klasë, në vend që ta minojë atë.
Paneli „Kujtesa dhe dhuna“ u përqendrua në mënyrën se si shoqëritë e ruajnë kujtesën për atë që ka ndodhur pasi vetë dhuna ka marrë fund. Mesazhi i këtij paneli ishte se materiali arkivor, sado i dhimbshëm qoftë, hap rrugën drejt pajtimit në vend që ta mbyllë atë – dhe se dënimi i hapur i krimeve, qartë dhe pa ekuivoke, është ai që në fakt i shpërbën narrativat monolitike kombëtare, dhe jo shmangia e tyre e heshtur.
Në panelin „Dhuna me bazë gjinore“ u zgjerua optika e çështjes së dhunës përtej fronteve të luftës. Mesazhi i sesionit ishte se dhuna e kohës së luftës dhe ajo sistemike nuk mund të shihen vetëm përmes ngjarjeve politike dhe ushtarake: dëshmitë private risjellin në jetë rolet gjinore, përvojën familjare dhe jetën e përditshme që tekstet zyrtare shkollore rregullisht i anashkalojnë, dhe kjo nuk është thjesht një shënim në fund të faqes në historinë e dhunës, por pjesë e thelbit të saj.
Paneli „Krimet, masakrat dhe gjenocidet“ hapi hapësirë për t’u përballur drejtpërdrejt me temën më të vështirë të konferencës. Mesazhi i kësaj sesioni ishte se dhuna e luftës shtrihet shumë përtej vuajtjes fizike – deri te shkatërrimi ekonomik, përjashtimi social dhe migrimi i detyruar – dhe se tekstet shkollore të pasluftës, nëse lihen pa u rishqyrtuar, mund të vazhdojnë në heshtje të ushqejnë pikërisht atë ndarje në „ne“ dhe „ata“ që vetë dhuna dikur e krijoi.
Në kuadër të konferencës, u prezantuan edhe reflektime mbi JHP-në në dekadën e saj të katërt, duke i kthyer pyetjet e konferencës te vetë projekti. Drejtoresha e JHP-së, Zvezdana Kovaç, prezantoi rezultatet e arritura deri më tani dhe njoftoi një fokus të ri mbi stripet edukative dhe videomaterialet e përshtatura për brezat e rinj. Historiania Sanja Radoviq (Sanja Radović) më pas prezantoi JHP Assistant, një mjet të ri të inteligjencës artificiale të krijuar për të mbështetur punën me burimet e JHP-së, duke theksuar se ndalimi i mjeteve të tilla nuk është zgjidhje – nxënësit duhet të aftësohen për t’i përdorur ato në mënyrë etike dhe kritike. Pjesëmarrësit patën mundësinë ta provonin vetë këtë mjet gjatë premierës së tij.
Të gjitha punimet e paraqitura në konferencë do të botohen në botimin Retrospektive, ndërsa për detaje të mëtejshme do t’ju njoftojmë me kohë.
Konferenca në Athinë ishte e dyta në një seri konferencash ndërkombëtare të organizuara në kuadër të projektit JHP 2.0. Projekti mbështetet nga Ministria Federale e Punëve të Jashtme të Gjermanisë dhe zbatohet nga Fondi Evropian për Ballkanin (EFB), ndërsa kjo konferencë mori mbështetje shtesë edhe nga Fondacioni Friedrich Ebert (FES).




