Të nderuar përfaqësues të CESPIC-it dhe Observatorit për Ballkanin dhe Kaukazin Transeuropa, Të nderuar përfaqësues të Fondacionit “Zoja e Këshillit të Mirë” (Our Lady of Good Counsel), Të dashur anëtarë të jurisë, të nderuar të ftuar, kolegë dhe miq,
Është një nder i madh të pranoj çmimin e paqes CESPIC në emër të ekipit të Projektit të Librave të Përbashkët të Historisë (Joint History Project).
Për ne, ky çmim nuk është i rëndësishëm sepse kishim nevojë për konfirmim se puna jonë është domethënëse; ne gjithmonë kemi besuar thellë në vlerën e asaj që bëjmë. Përkundrazi, ky çmim është i rëndësishëm sepse tregon se zëri i punës sonë po dëgjohet dhe se komuniteti i miqve dhe partnerëve që mund të ndajnë, rekomandojnë dhe ndërtojnë mbi këtë projekt po vazhdon të rritet.
Gjithashtu jemi shumë koshientë se konkurrenca për çmimin e paqes është gjithmonë e madhe dhe se ka shumë organizata, individë, grupe, madje edhe lëvizje masive që meritojnë mirënjohje për punën e tyre. Prandaj jemi veçanërisht mirënjohës që ky çmim njeh rëndësinë e edukimit si një rrugë drejt paqes.
Paqja nuk mund të ruhet pa edukim. Vetëm individët e arsimuar me mendje të hapur — njerëz që janë kuriozë, të gatshëm të vënë në pyetje, të dëgjojnë perspektiva të ndryshme dhe të mendojnë në mënyrë kritike për të kaluarën — mund të bëhen garantues të vërtetë të paqes.
Ky besim qëndron në zemër të Projektit të Librave të Përbashkët të Historisë.
Udhëtimi ynë filloi gati tre dekada më parë, në një kohë kur luftërat e viteve nëntëdhjetë në Jugosllavi ende vazhdonin. Në ato vite të vështira, ideja se historianët nga vende të ndryshme të Evropës Juglindore mund të bashkoheshin, të ekzaminonin të kaluarën nga shumë këndvështrime dhe të krijonin materiale të përbashkëta edukative, dukej pothuajse e pamundur.
Por pikërisht atëherë lindi vizioni i Projektit të Librave të Përbashkët të Historisë.
Ky vizion u udhëhoq nga babai i projektit, Costas Carras, besimi i të cilit në dialog, njohuri dhe pajtim frymëzoi breza shkencëtarësh dhe edukatorësh. Projekti u formësua dhe u mbështet gjithashtu nga individë të jashtëzakonshëm, duke përfshirë ish-kryetarët e Bordit Drejtues si Erhard Busek, një nga themeluesit e iniciativës, Matthew Nimetz dhe shumë gra e burra të tjerë që investuan kohën, energjinë dhe shpesh mjetet e tyre personale në dobi të Projektit.
Krijuesit e parë të Projektit gjetën një pasardhës të denjë te zoti Ditmir Bushati, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, i cili tani udhëheq Bordin e projektit. Ai sot ndodhet jashtë shtetit dhe për këtë arsye nuk mund të marrë pjesë në këtë ceremoni.
Profesoresha Christina Koulouri që nga fillimi ka udhëhequr punën shkencore të kësaj iniciative dhe ka koordinuar një numër të madh historianësh nga rajoni të cilët krijuan gjashtë vëllimet e librave. Ajo do të na tregojë pak më shumë për këtë së shpejti.
Po aq i rëndësishëm ishte përkushtimi i stafit të projektit, i cili për vite me radhë u udhëhoq nga paraardhësi im në pozicionin e drejtorit ekzekutiv, Nenad Shebek.
Këta libra përfaqësojnë diçka të rrallë dhe të çmuar: një përpjekje për të mos e dhënë historinë si një histori të vetme kombëtare, por si një përpjekje multiperspektive të të barabartëve. Librat inkurajojnë nxënësit të bëjnë pyetje, të krahasojnë burimet, të kuptojnë se e kaluara është komplekse dhe se shoqëri të ndryshme mund ta kujtojnë atë ndryshe.
Për shumë vite qëllimi ynë ishte t’i dërgonim këto materiale drejtpërdrejt në shkolla. Kemi punuar intensivisht me ministritë e arsimit në mbarë rajonin, kemi organizuar trajnime për mësuesit dhe kemi zhvilluar programe të certifikuara për të mbështetur edukatorët në përdorimin e këtyre burimeve në klasa.
Dhe pikërisht kur po i afroheshim momentit kur librat më në fund mund të hynin më gjerësisht në shkolla, rrethanat morën një kthesë të papritur.
CDRSEE u detyrua të ndërpresë punën në vitin 2019, dhe projekti papritur mbeti në një gjendje pasigurie. Për shumë prej nesh që kishim punuar për vite me radhë në të, ishte e vështirë të pranonim se një iniciativë aq domethënëse thjesht mund të ndalonte — që librat të mbeteshin diku në rafte, duke mbledhur pluhur, ndërsa ne vetëm do të tregonim se si dikur moti kishim arritur të bënim diçka që dukej e pamundur.
Falë vendosmërisë së një grupi të vogël që refuzoi të pranonte një rezultat të tillë, dhe veçanërisht falë ish-anëtarit të Bordit, Dushan Reliq, dhe ekipit të përkushtuar rreth Projektit, ne arritëm të ringjallim iniciativën. Me mbështetjen financiare të Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, dhe me Fondin Evropian për Ballkanin (EFB) me seli në Beograd, i cili priti dhe zbatoi projektin, filluam një kapitull të ri në vitin 2023. Aleksandra Tomaniq, ish-drejtoresha e EFB-së, tregoi një mirëkuptim të thellë për projektin dhe mbështeti energjikisht JHP-në. Bashkëpunimi ynë me drejtorin e ri të EFB-së, Veton Zekolli, ka filluar në një mënyrë shumë premtuese dhe mirëpresim zgjerimin e tij të mëtejshëm.
Në këtë fazë të re kemi përshtatur projektin me realitetin e kohës sonë. Një pjesë e konsiderueshme e materialeve është kaluar në internet, duke i bërë ato të aksesueshme për një audiencë shumë më të gjerë. Përmes faqes sonë të internetit dhe rrjeteve sociale tani ndajmë një sasi të madhe materialesh edukative, burimesh historike dhe burimesh për mësimdhënie.
Zhvillojmë shkolla dhe seminare për të rinjtë nga i gjithë rajoni, ku pjesëmarrësit mësojnë për multiperspektivitetin, mendimin kritik dhe se si të identifikojnë manipulimin e fakteve historike — pavarësisht nëse ai shfaqet në sistemet arsimore, narrativat mediatike apo diskursin politik.
Në punën tonë kemi futur edhe dimensionin psikologjik. Shumë breza të rinj në Ballkanin Perëndimor, madje edhe ata të lindur pas luftërave, ende mbajnë trashëgiminë e traumave të pazgjidhura. Kuptimi i mënyrës se si narrativat historike formësojnë identitetet, emocionet dhe perceptimet është, për këtë arsye, i një rëndësie thelbësore për ndërtimin e një të ardhmeje më elastike dhe më paqësore.
Çdo vit JHP organizon një konferencë kyçe shkencore rajonale. Në vitin 2025 në Podgoricë u morëm me historinë dhe të ardhmen e kufijve në Evropën Juglindore. Në vjeshtën e këtij viti, në Athinë, do të diskutojmë se si kujtimet e dhunës paraqiten në diskursin publik dhe në mësimin e historisë, dhe nëse vetëdija për përvojat e këqija historike mund të ndihmojë në shmangien e dhunës me motive politike në të ardhmen.
Qëllimi ynë është i thjeshtë, por ambicioz: t’i ndihmojmë të rinjtë të kuptojnë se historia nuk duhet të përdoret si armë — por si një mjet për dialog, mësim dhe empati.
Paqja shpesh merret si e mirëqenë derisa humbet. Por paqja është e brishtë. Ajo kërkon vëmendje të vazhdueshme, guxim dhe imagjinatë. Kërkon shoqëri që janë të gatshme të shikojnë sinqerisht në të kaluarën e tyre, të pranojnë kompleksitetin dhe të mësojnë brezat e rinj se bashkëjetesa nuk është dobësi, por forcë.
Prandaj kjo mirënjohje do thotë aq shumë për ne.
Para se të përfundoj, do të dëshiroja gjithashtu të përgëzoja fituesin tjetër të çmimit të paqes CESPIC, zotin Nihad Suljiq, angazhimi humanitar i të cilit dhe përkushtimi për paqen në komunitet janë vërtet frymëzues.
Zvezdana Kovač

