Jeta jonë e përditshme na kujton vazhdimisht rëndësinë e njohjes së historisë. Kjo nuk vlen vetëm për ata prej nesh me përvoja rajonale bashkëkohore, por edhe më gjerësisht, kur shohim zhvillimet globale. Përballemi vazhdimisht me praktika politike që janë dëshmuar si joefektive dhe shoqërisht të dëmshme. Historia mund të mos përsëritet, por gabimet po – dhe kjo krijon ndjesinë e një rikthimi rrethor në pikën nga kemi nisur. Me pyetjen që gjithmonë kthehet: për sa kohë akoma?

Nuk është rastësi që përvojat nuk na mësojnë mjaftueshëm zgjidhje të dobishme dhe të qëllimshme. Edhe pse ka shumë arsye për këtë, një pjesë e shpjegimit lidhet me mënyrën se si mësohet historia. Dhe duket se kjo problematikë do të bëhet edhe më e ndërlikuar, pasi të nxënit (si pjesë e vetë-edukimit) po zhvendoset në botën digjitale – një botë ku mungojnë mjaftueshëm autoritete të fushës së historisë, dhe paragjykimet riprodhohen më shpejt dhe më lehtë.

Ne, historianët, kemi kohë që punojmë për të përmirësuar qasjet metodologjike ndaj studimit bashkëkohor të historisë, por këto përpjekje shpesh mbeten të shkëputura nga nevojat digjitale të brezave të rinj. Situata komplikohet edhe më tej nga fakti që historia është një nga shkencat më të keqpërdorura – dhe është vazhdimisht në përplasje me politikat nacionaliste dominuese. Sot kjo përplasje duhet të zgjerohet edhe në hapësirën digjitale – kjo është një vështirësi e re, por edhe një mundësi për të aplikuar qasje moderne në tema historike në hapësira të demokratizuara (aq demokratike sa mund të jetë një algoritëm!) dhe, më e rëndësishmja, për të ofruar përgjigje të vlefshme ndaj pyetjeve të reja e të vjetra në një botë të ndërveprimit digjital. Sepse, nëse nuk e bëjmë ne, do ta bëjë inteligjenca artificiale. Dhe mos harrojmë: ajo mëson vetëm nga përmbajtjet digjitale. Përfundimi është i vetëkuptueshëm.

Përveç kësaj, një tjetër komponent e vështirëson më tej punën tonë. Mënyra se si historia shkruhet dhe lexohet ende në rajon ndikohet nga politika nacionaliste, dhe si rrjedhojë, është e mbingarkuar me narrativa kombëtare – një mbështjellje, e zbrazur nga kuptimi. Plot me toposa nacionalë – të dizajnuar për t’u riprodhuar, pa bërë pyetje. Dhe kjo nuk është rastësi – një nxënës që kupton proceset dhe që është në gjendje të lidhë modele të ngjashme në vende dhe epoka të ndryshme – është gjithashtu në gjendje të bëjë pyetje mbi shoqërinë në të cilën jeton. Mungesa e përqendrimit te të rinjtë nuk ka pse të jetë një pengesë për të mësuar cilësisht, edhe pse mësuesit shpesh ankohen për këtë – ajo thjesht kërkon prej nesh qasje të ndryshme në mënyrën se si i mësojmë dhe paraqesim narrativat dhe episodet historike. Bota digjitale na jep mundësi të panumërta në këtë drejtim – prandaj, me guxim hyjmë në një terren që është po aq i yni – epoka moderne na thërret të gjithëve të përshtatemi me nevojat e reja.

Duke njohur mangësitë shoqërore të sotme, qasjet e reja (a janë vërtet të reja?!) bëhen jo vetëm një nevojë, por një imperativ. Projekti i Librave të Historisë së Përbashkët (jointhistory.net) është një nga hapat më të rëndësishëm në procesin e unifikimit të kuptimit të historisë në hapësirat e përbashkëta. Sepse hapësira dhe proceset historike na lidhin të gjithëve në një tërësi të vetme – ndërsa agjendat kombëtare na ndajnë në kampe të veçanta, të palidhura dhe në konflikt.

Gjashtë librat janë konceptuar në mënyrë që një mësues me përvojë t’i përdorë në klasë si një përmirësim i ndjeshëm i cilësisë së mësimdhënies – por gjithashtu janë të vlefshëm edhe për përdorim të pavarur nga nxënësit. Çdo njësi historike mund të kuptohet më mirë kur nxënësi njihet edhe me burimet historike të popujve të lënë jashtë perspektivës kombëtare. Një tjetër përparësi është që të gjithë tekstet janë të përkthyera në gjuhët vendore, çka e bën leximin dhe kuptimin më të lehtë.

Po si funksionon kjo në praktikë? Një shembull nga teksti i përkushtuar lindjes së shteteve-komb në Ballkan. Në kurrikulat kombëtare kemi një lavdërim të vazhdueshëm të çlirimit kombëtar. Lindja e shtetit-komb të ri paraqitet në kontrast të fortë me të kaluarën e vështirë, çka e bën çlirimin edhe më madhështor, dhe metodat e luftës gjatë këtij procesi tërësisht legjitime dhe për t’u admiruar. Në një narrativë kaq të përpunuar, nuk ka vend për aspiratat e kombeve të tjera, të cilët përjetojnë fatin e tyre po aq madhështor dhe të zgjedhur. Në një ambient të tillë, të tjerët dhe aspiratat e tyre nuk perceptohen si pjesë të së njëjtës rrugë – por si pengesë. Kështu lindin paragjykimet kombëtare, të cilat më pas justifikohen për breza me radhë dhe bëhen pjesë e një tërësie që nuk vihet më në dyshim.

Ka shumë shembuj të tillë, dhe Librat e Historisë së Përbashkët vijnë nga një pozicion fillestar i thyerjes së narrativave të ngulitura dhe hapjes së hapësirës për t’i kuptuar ato nga këndvështrime të ndryshme. Duke zgjeruar kornizën për të kuptuar realitetin historik, ne në fakt kuptojmë më mirë edhe botën që na rrethon. Në një botë ku kuptimi ekziston, ka më pak vend për paragjykim, manipulim dhe abuzim. Që nga tani, librat janë të disponueshëm edhe në botën digjitale, dhe ndërveprimi me historianët është vendosur përmes kanaleve të ndryshme në rrjetet sociale. Në këtë mënyrë, kontribuojmë për t’i afruar përmbajtjet cilësore historike brezave të rinj përmes një qasjeje interaktive dhe kontakti të drejtpërdrejtë – atje ku ata kalojnë pjesën më të madhe të kohës. Kështu, rrethi i demokratizimit të dijes mbyllet (ose hapet!), njëkohësisht me largimin nga hapësirat offline dhe kurrikulat nacionaliste.

Shekulli XXI do të jetë një shekull sfidash. Por ne jemi gati.

Sanja Radović

Autorja është historiane dhe bashkëpunëtore në projektin “Joint History Books”.