TIRANË, 11 mars – Projekti i teksteve të përbashkëta të historisë (www.jointhistory.net) është fitues i çmimit të sivjetshëm për paqe, i cili ndahet nga Qendra Evropiane për Shkencën e Paqes, Integrimin dhe Bashkëpunimin CESPIC (European Centre for Peace Science, Integration and Cooperation) në Tiranë, në bashkëpunim me Observatorin Transevropian Ballkan-Kaukaz (OVCT) me seli në Trento.
Mirënjohja u nda sot në një ceremoni në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” (“Our Lady of Good Counsel”) në Tiranë. Ky çmim u ndahet individëve dhe organizatave që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, edukimin e të rinjve për paqen dhe nxitjen e dialogut midis komuniteteve të ndryshme.
Çmimin në emër të projektit e pranuan profesorja e Universitetit Panteion të Athinës, Christina Koulouri, kryetare e Komitetit Shkencor të projektit, dhe drejtoresha e projektit, Zvezdana Kovač. Projekti realizohet në bashkëpunim me Fondin Evropian për Ballkanin (European Fund for the Balkans) në Beograd, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë.
“Vetëm njerëzit e arsimuar, kuriozë dhe të hapur, të gatshëm për të menduar në mënyrë kritike për të kaluarën dhe për të kuptuar perspektiva të ndryshme, mund të jenë garantues të vërtetë të paqes”, theksoi Kovač duke falënderuar për vlerësimin. Ajo shtoi se për krijuesit e Projektit të teksteve të përbashkëta të historisë është veçanërisht e rëndësishme që çmimi ka njohur rëndësinë e edukimit të të rinjve si themel i paqes.
Profesoresha Koulouri theksoi se në këtë detyrë komplekse kanë punuar më shumë se 100 historianë nga gjithë rajoni. „Zgjedhja jonë në këto tekste ishte të mbanim distancë si nga heroizimi ashtu edhe nga viktimizimi, dhe të përpiqeshim t’i njohim nxënësit me përvojën e luftës si një fenomen kompleks dhe, mbi të gjitha, si një përvojë të përbashkët njerëzore“, shpjegoi Koulouri.
Projekti i teksteve të përbashkëta të historisë u nis në fund të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, ende gjatë kohës së luftërave në hapësirën jugosllave.
“Në atë moment, edhe vetë ideja që historianët nga të gjitha anët e Evropës Juglindore të prodhonin bashkërisht materiale mësimore që përshkruajnë të kaluarën nga perspektiva të ndryshme dukej pothuajse e pamundur. Megjithatë, falë entuziazmit të një numri të madh profesorësh të historisë dhe ekspertëve të tjerë, ideja u shndërrua në realitet”, vuri në dukje Kovač.
Përmbajtja e teksteve të përbashkëta të historisë është e qasshme përmes faqes së projektit në internet (www.jointhistory.net) dhe rrjeteve sociale. Janë në vijim e sipër programe të reja arsimore rajonale, duke përfshirë edhe punëtori psikologjike mbi traumat nga e kaluara e afërt. Konferenca më e fundit shkencore e Projektit u mor me të kaluarën dhe të ardhmen e kufijve në Evropën Juglindore.


